Tifozët mbledhin 1 milion euro dhe shpëtojnë klubin

Ekipi i Lubeck nga rajoni i Schleswig-Holstein, që garon në kategorinë e katërt në Gjermani, mori javën e kaluar një lajm të keq. Klubi njoftoi se po përballet me falimentimin dhe se në 48 orët e ardhshme duhej të mblidhnin një milion euro për të shpëtuar.

“Një analizë gjithëpërfshirëse e situatës aktuale financiare ka identifikuar një mungesë të konsiderueshme likuiditeti, e cila paraqet një sfidë të madhe financiare për Bordin Mbikëqyrës dhe menaxhmentin”, shkruan drejtuesit e klubit.

Ata kërkuan ndihmën e tifozëve dhe çdo mbështetësi të tyre për të shmangur falimentimin.

“I bëjmë thirrje të gjithëve që të qëndrojnë pranë nesh në këtë moment të vështirë të mendojnë se si të na mbështesin. Çdo mbështetje në kohë është e rëndësishme, qoftë në formën e sponsorizimit, donacioneve apo masave të tjera. Vetëm së bashku mund ta shpëtojmë Lubeckun dhe ta kapërcejmë këtë krizë ekzistenciale”, thuhej në njoftim.

Tifozët e Lubeck treguan se sa të gatshëm janë për të shpëtuar klubin e tyre. Të dielën pasdite, vetë klubi njoftoi se kishte arritur të mbledhë një milion euro nga tifozët, mbështetësit dhe sponsorët gjatë ditëve të fundit. Në një meshë mbrëmjen e së dielës në Lubeck ku morën pjesë rreth 4500 persona, lajmi për shpëtimin u njoftua zyrtarisht për fansat.

Klubi më vonë shkroi në kanalet zyrtare në rrjetet sociale: “E bujshme, e jashtëzakonshme, unike, kjo është histori, megjithëse është e vështirë të përshkruash me fjalë atë që përjetuam, grumbulluam, ndamë dhe arritëm së bashku si familja Lubeck. Mblodhëm shumën e nevojshme prej një milion eurosh, Lubeck është gjallë!”.

sfidanti.al