Tifozët e Crvena Zvezdës..” edhe sikur ta shtrojnë me miliona”

Tifozët e Crvena Zvezdës, edhe një herë tjetër, treguan se konkurrimi rajonal, nëse do të miratohet, do të ketë probleme që të realizohet, pasi ultrasit beogradas janë kundër bashkimit futbollistik të Ballkanit. Në fakt, është e qartë se futbollin e rajonit tonë mund ta shpëtojë, midis të tjerave, në radhë të parë, konkurrimi i përbashkët, por, nacionalizmi është pjesë përbërëse e grupeve ultras të vendeve të Ballkanit që nuk duan as që të dëgjojnë për ndonjë ligë të përbashkët me ata, me të cilet kanë luftuar me armë në dorë, në të kaluarën e afërt. Gjatë ndeshjes së djeshme me ekipin Radnik, tifozët ultras të Crvenës, “Delije”, kënduan: “Edhe sikur të na e shtrojnë me miliona ose biliona, ne nuk do të luanim në ligën ballkanike. Rroftë Serbia!”, ndërsa hidhnin pishtarë të vegjël të ndezur në fushë, duke e ndërprerë, kështu, ndeshjen.

Nuk është hera e parë që tifozët ultras të Crvenës e shprehin me forcë kundërshtimin e tyre ndaj idesë së krijimit të një lige ballkanike. Sidoqoftë, kundër ligës ballkanike janë, kategorikisht, kundër edhe tifozët e Dinamo Zagrebit dhe të Hajdukut të Splitit. “Ne jemi kundër çfarëdo lloj lige ballkanike, neve na intereson vetëm Kroacia”, thonë tifozët ultras “Bed Blu Bojs” (BBB) të Dinamos së Zagrebit. Ndërsa nga kampi i tifozëve ultras të Hajdukut të Splitit, “Torcida”, vjen mesazhi se “neve nuk na intereson, nëse do të përmirësohet cilësia e futbollit në rajon, thjesht, ne nuk mund të luajmë futboll me ata, me të cilët kemi luftuar me armë në dorë”.

Deklarata të tilla paralajmërojnë trazira, nëse liga ballkanike ose rajonale do të fillojë të funksionojë, kështu që duhet të pritet, që të shihet nëse klubet ballkanikë do t’i përmbahen fort idesë së krijimit të një lige të tillë.

Sfidanti.al