Tifozët e Arsenalit sulmojnë pronarin Krënke dhe … Obamejangun!

Në ndeshjen e humbur ndaj Aston Vilës në Premier Ligë, përkrahësit londinezë patën një banderolë që e fluturuan në ajër, ku shkruhej “E duam Artetën, Krënke jashtë”! Fjala është për pronarin kryesor të aksioneve të klubit, miliarderin amerikan, që sipas tifozëve mendon më shumë për fitimet e veta sesa për suksesin sportiv të klubit. Tifozët, gjithashtu kritikuan kapitenin e tyre Pjer-Emerik Obamejang, që ishte duke bërë shaka me një lojtar kundërshtar, në kohën e aksionit kur Aston Vila shënoi golin e fitores.

Obamejangu po bisedonte e po qeshte me Tajron Mingsin, i cili ishte më i vëmendshëm sepse po priste topin e harkuar nga këndi. Kur kjo ndodhi, ai u shkëput me të shpejtë nga kapiteni i Arsenalit, dhe devijoi topin me kokë, duke ndihmuar Trezegenë që të shënonte golin e vetëm të ndeshjes. Me këtë humbje, londinezët mbetën përfundimisht jashtë zonës europiane nga kampionati, dhe kjo erdhi pas dy fitoreve të mëdha, 2-1 në Premier me Liverpulin dhe 2-0 ndaj Mançester Sitit në Kupë. Aston Vila hodhi një hap të madh drejt mbijetesës.

Sfidanti.al