Në fakt, kishte lajme, por konsideroheshin si spekulime, se mbas Botërorit Rusi-2018 Aleksei dhe Vasilij Berezucki do t’i thonin lamtumirë futbollit dhe se do ta përfundonin karrierët e tyre të pasur. Por, tani, largimi nga futbolli të të dy vëllezërve binjakë të mësipërm u bë zyrtar.
Të dy vëllezërit Berezucki, vite të gjata me radhë, kanë qenë simbol i CSKA-ssë Moskës dhe të përfaqësueses ruse. Në Moskë, ata erdhën në vitin 2002 dhe, që atëherë, ata nuk luajtën me asnjë ekip tjetër, veç CSKA-s. Vasilij ka luajtur 539 ndeshje me CSKA-n, kurse Aleksei – 518. I pari ka luajtur në pozicionet e stoperit dhe të mbrojtësit të djathtë, kurse i dyti (Aleksei) sistoper dhe mbrojtës i majtë.
Në ekipin përfaqësues të Rusisë, Vasilij ka qenë më i suksesshëm, duke qenë se ka luajtur me të 101 herë, kurse Aleksei vetëm 58. Në karrierën e tyre, ata gjashtë herë kanë fituar titullin e kampionit të vendit, shtatë herë Kupën, pesë herë Superkupën, ndërsa në vitin 2005 ata varën në qafë medaljen e artë të Kupës së atehershme të UEFA-s.
Sfidanti.al