Shevçenko ka një dëshirë: të largohet nga Ukraina vetëm për Milanin!

Një nga sulmuesit që ka lënë gjurmët më të thella në Evropën futbollistike në kapërcyell të këtij shekulli, Andrij Shevçenko, bëri të ditur emrin e klubit që ai do të donte të drejtonte në karrierën e tij si trajner.

Shevçenko, mbasi i dha fund karrierës në fushën e lojës, iu përkushtua Ukrainës së tij, fillimisht si asistent, ndërsa tani si trajner kryesor i përfaqësueses së këtij vendi. Sidoqoftë, ai ka në plan që të drejtojë edhe ndonjë klub dhe i pari, në stolin e drejtimit të të cilit ai do të donte që të ulej, është Milani, me të cilin Sheva arriti kulmin në karrierën e tij si futbollist.

“Milani është një klub që është bërë pjesë e jetës sime. Tani, unë jam shumë i zënë me përfaqësuesen e vendit tim dhe Gatuzo po e kryen shumë mirë punën e tij. Sigurisht që unë dua që ndonjë ditë ta drejtoj Milanin, sepse jam shumë i lidhur me këtë klub, tifozët dhe ish-lojtarët e tij”, vuri në dukje Shevçenko.

Sfidanti.al