Edhe sikur ta kishin bërë me fjalë, nuk mund të kishin gabuar që të treja. Interi, Napoli dhe Lacio nuk e mërzitën shumë Milanin, dhe i dhanë një kënaqësi Romës, duke mos arritur të fitonin, e duke e lënë krejtësisht të hapur garën për në Champions.
Milanezët u ndalën në “San Siro” nga Atalanta, një tjetër pretendente serioze, në një barazim pa gola. Kritikat ishin të mëdha për zikaltërit, veçse nuk duhet harruar se Atalanta ka shënuar po aq gola sa Juventusi, 64. Mauro Ikardi nuk pati një kthim të bukur para tifozëve të tij, u mbuluar mirë nga mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Gjimshiti.
“Është një garë e paparashikueshme, – u shpreh trajneri i Interit, Spaleti, – nëse do të mendojmë se ia kemi dalë, do ta paguajmë shtrenjtë. Të mos harrojmë, se do të luajmë me skuadra që rrezikojnë të bien nga kategoria. Pra do të jetë e vështirë”.
Napoli mund të ndihet më i sigurt në vend të dytë, por forma e kohëve të fundit ka shkaktuar pakënaqësi. Një barazim 1-1 në “San Paolo” ndaj Xhenoas, duke qenë në avantazh, si dhe në epërsi numerike. Elseid Hysaj nuk u ndje shumë i lumtur, edhe pse vazhdoi të ishte titullar, me napolitanët që kanë harruar të fitojnë.
“Jam i shqetësuar se nuk po mbrojmë siç duhet, – deklaroi trajneri i Napolit, Ançeloti, – por, as nuk po sulmojmë siç duhet. Mendoj se skuadra duhet të zgjohet, pasi nuk po luajmë siç duhet. Ndaj Empolit bëmë shumë gabime, dhe kjo nuk duhet të ndodhë më”.
Çudia më e madhe ishte Lacio. Edhe kryeqytetasit gabuan në fushën e tyre, në stadiumin “Olimpiko”, ndonëse kaluan të parët në avantazh. Lacialët rrezikuan humbjen, pasi Sasuolo modeste goditi dy herë radhazi, me portierin Tomas Strakosha që nuk pati faj në asnjërin prej golave. Nëse kishte një ekip që donte fitoren, ky ishte ai i Lacios, por pati fat që shpëtoi në fund.
“Ishte një ndeshje e mallkuar, – u ankua Inzagi, – ne bëmë gjithçka mirë dhe krijuam shumë raste, por gabuam shumë para portës. Sasuolo na goditi me fare pak rastet që pati. Duhet t’i vëmë gishtin kokës, pasi e kontrolluam ndeshjen, por morëm vetëm 1 pikë”.
Goli i shënuar nga Luliç sekondat përmbyllëse i dha të paktën pikën. Në renditje, Napoli është i dyti me 64 pikë, por pas tij Championsin e pretendojnë Interi, Atalanta, Milani, Roma, Lacio dhe Torino.
Sfidanti.al