Pas Sarrit, përse takohet Paratiçi i Juves me Fali Ramadanin?!

Nuk kanë qenë “miq prej punës” më parë, por pikërisht puna të bën mik kur nuk e pret. Fabio Paratiçi, drejtuesi i transferimeve tek Juventusi, është takuar përsëri me Fali Ramadanin, shqiptarin nga Maqedonia, një prej agjentëve më të njour të botës në futboll. Italiani dhe tetovari ishin “pjekur” disa herë gjatë kësaj vere (apo edhe pranvere) për të sjellë Mauricio Sarrin nga Çelsi tek Juventusi, pasi pikërisht Ramadani ishte agjenti i trajnerit napolitan.

Tashmë, takimi i tyre duket se ka një mision të dyfishtë, për Federiko Kiezën dhe Miralem Pjaniçin. Që të dy lojtarët, janë me kontratë me Ramadanin, dhe Paratiçi kërkon dy lëvizje të kundërta. Së pari, shpreson të ndërmjetësojë me shqiptarin e Maqedonisë që të bindë pronarin e ri të Fiorentinës për të lëshuar Kiezën. Së dyti, dëshiron të merret vesh me Ramadanin që Miralem Pjaniç të mos kërkojë largimin nga Torino. Sarri ka deklaruar se një mesfushor duhet të largohet, por pritet të jetë dikush tjetër, jo boshnjaku virtuoz.

Sfidanti.al