Maldini hap “luftën civile” tek Milani, sulmon trajnerin e përzgjedhur Rangnik!

Një legjende i lejohen edhe shfrimet. Paolo Maldini, një nga ikonat më të mëdha të Milanit e të futbollit botëror, ka vënë në shënjestër kandidatin për trajner të skuadrës milaniste, Ralf Rangnik. “Mendoj se ai duhet të mësojë edukatën përpara sesa të mësojë italishten, – ishin fjalët e Maldinit, – duhet të rikujtojë parimet kryesore të respektit për kolegët”.

Trajneri gjerman ishte shprehur se kishte pasur kontakte me Milanin, për të marrë në drejtim skuadrën, ndërsa kishte theksuar se duhen plotësuar disa kushte për të pranuar. Së pari, ai kërkon fuqi të plota të zonës teknike, diçka që prek direkt Maldinin, që është drejtor teknik. Ish-mbrojtësi i shquar ka thënë se nuk ka folur kurrë me Rangnikun, dhe nuk e di se nga dalin fjalët e thëna prej tij.

Drejtori teknik i kuqezinjve ka krijuar një lloj lufte civile brenda klubit, pasi duket se ka dalë kundër zgjedhjes së bërë nga drejtuesit e lartë. Mediat italiane shkruajnë se Maldini është drejt largimit, ashtu siç ndodhi me legjendën tjetër, Zvonimir Boban, që ishte gjithashtu pjesë e bordit drejtues. Milani drejtohet nga trajneri Stefano Pioli, që zuri vendin e Xhampaolos në sezon e sipër, dhe që ka përmirësuar lojën e rezultatet, me ndihmën edhe të Zllatan Ibrahimoviçit që u bashkua me ekipin në janar.

Ralf Rangnik, ndërkaq, ka një karrierë të gjatë në futboll, duke qenë më parë trajner i Shtutgartit, Hanoverit, Shalkes, Hofenhajmit dhe Lajpcigut. Ai nuk ka fituar shumë trofe, një Kupë me Shalken, një Superkupë të Gjermanisë dhe një Kupë të Federatës, ndërsa ka ngjitur Lajpcigun në Bundesligë.

Sot, ai është drejtor i sektorit të sportit dhe të zhvillimit tek Lajpcigu.

Në karrierë, ka drejtuar edhe ish-kapitenin e Shqipërisë, Altin Lalën, që në atë kohë ishte kapiten tek Hanoveri.

Sfidanti.al