Leonardo, Maldini, Gatuzo, kush është i tepërt tek Milani?!

Populli turk na ka lënë një shprehje të mençur, “fukarallëk-maskarallëk”. Nuk mund të thuash se tek Milani po vdesin nga uria, por gjithsesi klubi i madh është larg nga lavdia e dikurshme, dhe siç thonë turqit, kur nuk del llogaria, nisin sherret në shtëpi.

Tek Milani duket se dikush është i tepër, pasi lajmet janë që trajneri Xhenaro Gatuzo është përplasur me drejtuesit Leonardo e Paolo Maldini. Të gjithë figura të mëdha milaniste, por që kanë fituar trofe pa numër kur ish-presidenti Silvio Berluskoni i kishte xhepat plot. Që pas humbjes së derbit me Interin, lajmeve për konflikte u janë shtuar edhe rezultatet jo të mira, që rrezikojnë vendin e katërt, pra Championsin.

Nëse Milani nuk arrin Championsin, ky do të ishte fundi, të paktën për disa kohë, pasi do të mungonin dhjetëra milionë euro në buxhet, dhe do të kishte më pak argumente për të bindur yjet që të vinin në “San Siro”. Duket se, siç ndodh në këto raste, “i tepërti” në shtëpi është Gatuzo, pasi trajneri largohet i pari. Jo më kot, mediat shkruajnë se shefi i ri, Gazidhis, po sheh mundësinë për të sjellë Maurisio Poçetinon e Totenhemit. Problemi është se argjentinasin e duan të gjithë, dhe përse duhet të zgjedhë Milanin?

Sfidanti.al