Kishte kohë që zikaltërit e prisnin një sezon të tillë, edhe pse duhet thënë se ende nuk ka përfunduar. Një skuadër si Interi që kryeson Serinë A edhe tifozët thuajse e kishin harruar, veçse duhet theksuar se dominimi i kampionatit po bëhet në mënyrë thuajse të plotë. Edhe pse Arrigo Saki, me parimet e tij të palëkundura, kërkon më shumë epërsi ndaj kundërshtarëve, ekipi i Kontes ka bërë jo pak. Përtej 4 pikëve më shumë se Milani, 53 me 49, është edhe numri i golave.
Milanezët kanë shënuar 57 rrjeta, me mesatare 2.48 për ndeshje, duke lënë prapa Atalantën që ka 53, ndërsa rivalët e tjerë janë shumë më në bisht, si Roma e Napoli që kanë nga 47 gola, Milani 45 e Juventusi 44. Për më tepër, Interi është ekipi me më shumë asistë, 37, ndaj 34 të Atalantës, 33 të Juventusit e 31 të Romës. Lojtarët e Kontes kanë dhënë më shumë krosime, sidomos të saktë (145 ndaj 113 të Fiorentinës, Juventusi ka 107 dhe Milani 97).
Një nga elementët më të rëndësishëm në futboll është vrapimi me top e sidomos pa top. Interi kryeson edhe në këtë renditje me 112.606 km mesatarisht të vrapuar në çdo ndeshje, duke lënë fare pak prapa Lacion (112.36) e më pas Napolin. Juventusi është në vendin e 6-të me 109.237 km, ndërsa Milani i 13-ti me vetëm 107.531 km për ndeshje.
Sfidanti.al