Një ditë para ndeshjes, në formë shakaje, ishte shprehur se “shpresoj që të ketë respekt dhe mëshirë për një të sëmurë me pushime si unë, dhe të mos jetë aq i keq sa zakonisht”. Ishin fjalët e Sinisha Mihajloviçit, trajnerit të Bolonjës, thënë para gazetarëve për Zllatan Ibrahimoviçin, në prag të sfidës ndaj Milanit në “Meaca”. Dy njerëz me rrënjët në ish-Jugosllavi, Miha serbo-kroat, dhe Ibra boshnjak, ishin gati duke u kapur për fyti kur ishin rivalë në Inter-Juve, por më pas u bënë miq.
Zllatani e priti si mik në shtëpinë e tij, pak minuta para ndeshjes së mbrëmshme (në foto), duke e përqafuar, por ndeshja nuk shkoi mirë për Sinishën dhe për Bolonjën e tij. Milani fitoi 5-1 dhe është më pranë Europës, ndërsa bolonjezët më larg. Ibra ndihmoi në aksionin e golit të parë, duke bërë “finte” pas krosimit të Hernandezit, e Zelemekers (Saelemaekers) goditi saktë për 1-0. Më pas, suedezi dha pasimin e golit të katërt, shënuar nga Rebiç në minutën e 57-të, ndërsa pas 5 minutash, trajneri Pioli e zëvendësoi sërish, duke hedhur në fushë Leaon. Një përgjigje e teknikut pas daljes disi me polemika të Ibrës në ndeshjen e kaluar, barazuar 2-2 në fushën e Napolit.
Sfidanti.al