Kombëtarja krenare ka pasur shumë ikona. Polonia mund të mburret me sulmuesit e saj të mëdhenj, që nga Vilimovski, e pastaj Lato, Bonjek apo Levandovski. Tradita nuk mund të prishej dhe ja ku del në skenë pasardhësi. Krzistof Piatek, 23 vjeç, ylli i ri i Xhenoas në Serinë A.
Dy golat ndaj Frozinones bënë që ai të arrinte në kuotën 8 të rrjetave në kampionatin italian, të bëhej shënuesi më i mirë dhe të linte në hije Kristiano Ronaldon. Piatek vjen, pra, nga Polonia, ku shkëlqeu me Zaglebien e Krakovian. Ai firmosi në 8 qershor të këtij viti, duke i kushtuar klubi gjenovez 4 milionë euro. Shifra u duk okazion në atë kohë, ndërsa tani cilësohet falas.
Presidenti i Xhenoas, Preciozi, nxitoi dje të deklaronte se Piatekun pranoj ta humbas vetëm për 100 milionë euro, dhe vetëm për një klub të madh europian jashtë Italisë. Kur shënoi 4 gola në Kupën e Italisë ndaj Leçes në 11 gusht, publiku italian dhe komentatorët televizivë kuptuan potencialin e këtij djaloshi 1.83 metra shtatlartë.
Në atë kohë, legjenda e Polonisë dhe e Juventusit, Zbignjev Bonjek, nxitoi të bënte një saktësim. “Të nderuar telekronistë italianë, – tha ai në një video të postuar në Tuiter, – emri i tij nuk shqiptohet Piatek, por Piontek, është tepër e lehtë, dhe ju lutem thuajeni saktë”.
Piatek apo Piontek, për sulmuesin kjo nuk ka asnjë rëndësi. Për të vlen ajo që bën në fushë, dhe ai e bëri që në debutimin në Serinë A, duke shënuar ndaj Empolit në 26 gusht. Ai ka arritur në 8 gola në 6 ndeshje të kampionatit, diçka që e ka arritur për herë të fundit Karl Aage Hansen, sulmuesi danez i Atalantës në sezonin 1949-1950.
Historia me emrin Piatek apo Piontek duket se do të jetë e gjatë. Tifozët e Xhenoas duan të shijojnë çdo moment pasi e dinë mirë se një yll i tillë nuk mund të mbajë gjatë veshur fanelën e skuadrës së tyre të zemrës. Klubi i parë i madh europian që e kërkon është Juventusi.
Sfidanti.al