Ka arritur në 15 rrjeta në Serinë A këtë sezon, një shifër e respektueshme. Goli i fundit, ai i mbrëmshmi ishte edhe ai i fitores në fushën e Lacios, që e bën Juventusin edhe më shumë të pakapshëm në renditje, por si mjaft të tjerë, erdhi me penallti. Ishte Kanselo që e fitoi 11-metërshin, por penalltisti juventin është CR7-ta që e mori përsipër dhe e ktheu në gol në 88’.
Nga 15 gola në 21 ndeshje të luajtura në kampionat, Ronaldo ka 5 me penallti, pra 33 për qind, apo një në çdo tre. Ndryshe nga ai, rivali i tij i madh, Lionel Mesi, ka realizuar vetëm një herë me 11-metërsh këtë sezon, ndonëse në La Liga ka plot 19 gola në 19 ndeshje. Diferenca është e qartë, ndonëse Juventusi nuk e ka problem sesi CR7-ta e dërgon topin në rrjetë.
Në stadiumin “Olimpiko” duhej arritur rezultat pozitiv, të paktën jo humbje. Lacio kaloi e para në epërsi në minutën e 59-të, me një autogol të Emre Xhanit. Zhoao Kanselo barazoi në 74’, dhe ishte po ai që fitoi penalltinë. Juventusi ka 59 pikë pas 21 ndeshjesh, ndaj 48 të Napolit, pra mund të thuhet se dalë nga dalë po e fut titullin “në xhep”.
Sfidanti.al