Cilësohej si e ardhmja e portës së Italisë dhe si portieri i ri më i mirë në botë. Mund të realizohen ende të gjitha këto, por për momentin “aksionet” e Xhixho Donarumës kanë rënë ndjeshëm në “bursën e futbollit”. Gafa në ndeshjen e fundit të Milanit në fushën e Atalantës ishte vetëm pika e fundit e ujit që derdhi gotën, dhe refuzimi nga tifozët ultras që të merrnin fanelën e tij si dhuratë, flet për shumë më tepër se kaq.
Donaruma duket me një këmbë (e gjysmë) jashtë Milanit, ndërsa krisja e nisur që në verë tani është bërë e pariparueshme. Gjatë verës, ai krijoi tension pasi deshi të largohej me çdo kusht, i nxitur nga agjenti i tij, Mino Raiola, që cilësohet si një “peshkaqen” që interesohet vetëm për “gjahun” e tij, dhe jo për të mirën e klientit të tij. Mediat italiane shkruajnë se 19-vjeçari Donaruma u rrit pak si shpejt dhe po paguan koston.
“La Gazeta delo Sport” njofton se vlera e kartonit të tij është përgjysmuar, nga 60 milionë euro në vetëm 30 milionë që, besohet se është gati t’i paguajë Paris SG. Një lloj falimentimi pra, për Milanin, Raiolën dhe vetë portierin. Tashmë, Xhixho po quhet “portier i zakonshëm” (sipas fjalëve të ish-numrit 1 juventin, Takoni), por duke qenë ende tepër i ri, i ka të gjitha gjasat që të përgënjeshtrojë këdo dhe të kthehet sërish ai Donaruma i shkëlqyer i mëparshëm.
Sfidanti.al