Ndodhemi në prag të një fundjave ku gjithçka vendoset. Të premten mbrëma, Sera A do të kurorëzojë kampionin e sezonit, dhe Napoli i Antonio Contes është një hap larg lavdisë. Ndeshja vendimtare në “Diego Armando Maradona” ndaj Cagliari-t do të përcaktojë nëse ky ekip do të shkruajë një tjetër kapitull të lavdishëm në historinë e tij. Në këtë klimë tensioni dhe pritjeje, ka ardhur edhe fjala e një prej mendjeve më brilante që ka njohur futbolli italian: Arrigo Sacchi. Në një prononcim për ‘Il Mattino’, ai nuk i ka kursyer vlerësimet për trajnerin aktual të Napolit: “Antonio Conte është një nga ata pak që, kur hyn në një klub, e ndryshon rrënjësisht. A sjell 10 pikë më shumë? Ndoshta edhe më tepër. Është një vlerë e shtuar, si shumë pak në këtë zanat. Renditja e Napolit është prova më e mirë e ndikimit të tij.”
Për Sacchi-n, Conte është më shumë se një trajner, është një projekt i tërë i përqendruar në një njeri të vetëm. Dhe e ardhmja e tij në Napoli është ende në pikëpyetje, megjithëse ish-trajneri legjendar ka një dëshirë të qartë: “Fitorja ndaj Cagliari-t do të ishte vula e një pune madhështore. Pastaj, unë shpresoj që ai të vendosë të qëndrojë. Por, mbi të gjitha, dua që ai të marrë një vendim për të cilin të mos pendohet nesër.” Sacchi preku edhe emocionet e një fundjave të tillë, ku një sezon i tërë përmblidhet në 90 minuta: “Seria A këtë vit të lë pa frymë. Nëse Napoli fiton, dhe të fitosh nuk është kurrë e lehtë, nuk do të ketë nevojë të presë rezultatin e Interit në Como. Por ndaj një trajneri si Fabregas, asgjë nuk është e sigurt. Është një ‘finale’, një natë emocionesh të mëdha, ku nuk ka më rrugëdalje.” Dhe e mbyll me një reflektim që vetëm ai mund ta japë: “Futbolli është pasqyrë e jetës. E them gjithmonë edhe në shtëpi, edhe pse gruaja ime nuk është e dhënë pas futbollit. Ti punon gjithë vitin, me mish e me shpirt, vetëm që të luash një ndeshje si kjo. Dhe e di çfarë? Ia vlen.”
sfidanti.al