Sa punë i prish Sitit mungesa e gjatë e Ruben Diasit?!

Një dëmtim në moment të keq të sezonit, kur garat janë ashpërsuar në kulm. Mançester Siti nuk do ta ketë për 6 javë qendërmbrojtësin Ruben Dias për shkak dëmtimi, dhe ai do të humbasë derbin ndaj Mançester Junajtidit në Premier Ligë, por do të jetë në dyshim edhe për sfidën e prillit ndaj Liverpulit, si dhe për dy ndeshjet çerekfinale të Championsit. Portugezi i bashkohet Natan Ejkut (Ake) që gjithashtu është i dëmtuar. Trajneri Pep Guardiola ka edhe dy lojtarë me shqetësime lëndimesh si Stefën dhe Palmer, por këta nuk janë titullarë, ndërsa Xhek Grilish dhe Gabriel Zhezus janë kthyer nga “infermieria”. Tekniku katalanas mund të aktivizojë Kajl Uolkerin në krah dhe Xhon Stounsin në qendër në vend të Diasit. Derbi luhet të dielën në orën 17:30 në “Etihad” dhe është shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, pasi Siti kërkon titullin dhe nuk dëshiron të gabojë në konkurrimin me Liverpulin, kurse Junajtidi synon zonën Champions, ndërsa ka pasur disa rezultate zhgënjyese ndaj edhe kërcënohet nga Arsenali, Totenhemi apo Uest Hemi.

Sfidanti.al