Për Romën ky sezon është vendimtar në aspektin ekonomik. Klubi i Friedkin duhet të respektojë marrëveshjen e arritur me UEFA-n në vitin 2022 pas shkeljes së rregullave të Fair Play-it Financiar, e cila parashikon që deri në vitin 2026 humbjet të mos kalojnë shifrën e 60 milionë eurove. Kjo do të thotë se në mbyllje të këtij trevjeçari (2023-24, 2024-25, 2025-26), bilanci i klubit duhet të jetë shumë më i qëndrueshëm.
Rezultatet e deritanishme tregojnë përmirësim: nga -219 milionë në sezonin 2021-22, tek -103 në 2022-23 dhe -81 në 2023-24. Megjithatë, përllogaritjet sipas kritereve të UEFA-s bëjnë që Roma të ketë nevojë për rreth 90 milionë euro shtesë për të arritur objektivin.
Pjesa më e madhe e kësaj shume pritet të vijë nga shitjet. Emrat më të përfolur për t’u larguar janë mesfushori Manu Koné dhe mbrojtësi Evan Ndicka, që do të sillnin plusvalenca të rëndësishme. Përveç tyre, Roma duhet të sigurojë një sponsor të ri kryesor pas largimit të “Riyadh Season”, si dhe të ulë kostot operative.
Një faktor vendimtar do të jenë edhe rezultatet sportive. Kalimi në Champions League do të siguronte të ardhura të mëdha dhe do të reduktonte nevojën për shitje të dhimbshme. Pa këto masa, rreziku është i madh: në rast shkeljesh, UEFA mund ta përjashtojë klubin nga kompeticionet evropiane, duke prishur objektivat e projektit të Gasperinit.
Për Romën, rruga drejt qëndrueshmërisë ekonomike është e ngushtë dhe çdo hap në merkato, në fushë apo jashtë saj, do të peshojë shumë deri në verën e ardhshme.