Romario, rregulli i pazakontë te América

Romário, legjenda e futbollit brazilian, është tashmë president i klubit América de Rio de Janeiro, një ekip historik që ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Me objektivin për ta rikthyer në majat e futbollit, ai ka vendosur rregulla të forta disiplinore për lojtarët e tij. Një nga rregullat më të diskutueshme është detyrimi për të mbathur vetëm këpucë futbolli të zeza. Sipas tij, kjo rregull ndihmon për të mbajtur disiplinën dhe për të shmangur shpërqendrimet. Madje, Romário ka marrë masa ekstreme duke urdhëruar që këpucët e lojtarëve që nuk përmbushin këtë kriter të lyhen me bojë të zezë.

Romário, i cili ka qenë gjithmonë një ndjekës i disiplinës së hekurt gjatë karrierës së tij të pasur, e ka bërë këtë rregull të detyrueshëm për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik të klubit. Kjo masë ka ngjallur polemika, veçanërisht te lojtarët e rinj, të cilët janë më të prirur për të veshur këpucë me dizajne tërheqëse. “Nëse paraqitesh me këpucë të ndonjë ngjyre tjetër, ato do të lyhen me bojë të zezë,” ka deklaruar Romário.

Një prej lojtarëve të rinj të ekipit, Camará, tregoi përvojën e tij të hidhur me këtë rregull. Ai rrëfeu se si këpucët e tij të shtrenjta u lyen me bojë, gjë që e bëri të qante: “Isha shumë i mërzitur sepse këpucët ishin të reja dhe të shtrenjta. Por më thanë se ishte urdhër direkt nga Romário, kështu që nuk kisha zgjidhje tjetër.”

Ky rregull nuk vlen vetëm për lojtarët, por edhe për stafin teknik. Mauro Barcelos, një nga përfaqësuesit e klubit, shpjegoi se mosrespektimi i rregullit sjell gjoba financiare. Madje, edhe ai vetë detyrohet të përdorë këpucë të zeza për të shmangur ndëshkimet: “Presidenti është i vendosur për të ndryshuar historinë e klubit dhe ne duhet ta mbështesim. Ai ka fituar gjithçka si lojtar dhe është shembull për të gjithë ne.”

Romário, e tradita me këpucët e zeza

Gjatë karrierës së tij legjendare, Romário ka përdorur gjithmonë këpucë futbolli të zeza, duke i konsideruar si simbol i thjeshtësisë dhe përqendrimit. Kjo bie në kontrast me lojtarët e sotëm, si Cristiano Ronaldo, i cili ka deklaruar se këpucët e zeza “sjellin ngadalësi” dhe preferon modelet me ngjyra të ndritshme për të nxitur vetëbesimin.

Një qasje unike për një qëllim të madh

Vendimi i Romários për të imponuar këpucë të zeza mund të duket i çuditshëm, por ai beson se kjo rregull do të ndihmojë në krijimin e një kulture disiplinore që është thelbësore për suksesin e ekipit. Me këtë qasje të palëkundur, Romário shpreson të rikthejë América de Rio në lavdinë e dikurshme.

sfidanti.al