Roma dhe Gasperini sqarojnë situatën

Në shtëpinë e Romës ka qenë në qendër të vëmendjes takimi i zhvilluar pasditen e sotme në Trigoria, ku u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme me pjesëmarrjen e figurave kyçe të klubit verdhekuq. Të pranishëm ishin trajneri Gian Piero Gasperini, pronësia e përfaqësuar nga Ryan Friedkin, si dhe këshilltari i klubit dhe ish-trajneri, Claudio Ranieri.

Në fokus të bisedimeve ishte gjendja e pakënaqësisë e shfaqur së fundmi nga Gasperini, e reflektuar edhe nga heshtja e tij ndaj medieve pas fitores 2-0 ndaj Lecce-s në kampionat. Një situatë që ka nxitur shumë spekulime ditët e fundit, por që sipas Sky Sport, ky takim ka shërbyer si një hap i rëndësishëm për të sjellë qartësi dhe stabilitet në ambientin e klubit.

Sipas burimeve pranë çështjes, samiti në Trigoria ka qenë një pikënisje për përcaktimin e lëvizjeve të ardhshme në merkato. Nga njëra anë, pronarët i kanë garantuar Gasperinit mbështetje dhe gatishmëri për të përforcuar skuadrën sipas kërkesave të tij, duke ndarë të njëjtën ambicie për ta ngritur nivelin konkurrues të Romës. Nga ana tjetër, është nënvizuar edhe një herë domosdoshmëria për të respektuar kufizimet financiare dhe rregullat e ‘Fair Play Financiar’. Pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit, klima e takimit është përshkruar si e qetë dhe konstruktive, me palët që kanë treguar vullnet për bashkëpunim dhe për të gjetur një rrugë të përbashkët drejt objektivave sportive të klubit.

sfidanti.al