Revolucion te Reali, gjashtë lojtarë drejt largimit në fund të sezonit

Real Madridi vazhdon të shkëlqejë në fushë, por në prapaskenë po përgatitet një verë e nxehtë me ndryshime të mëdha në skuadër. Pavarësisht rezultateve pozitive, drejtuesit e klubit madrilen duket se po planifikojnë një rifreskim të thellë të ekipit. Pas kualifikimit bindës ndaj Manchester City-t në Ligën e Kampionëve, me fitore si në “Santiago Bernabéu” ashtu edhe në transfertë, “Los Blancos” po shohin përpara, por me disa dilema të rëndësishme për të ardhmen.

Sipas raportimeve nga ‘Sport Bild’, deri në gjashtë lojtarë mund të largohen në fund të sezonit. Një nga emrat kryesorë është David Alaba, kontrata e të cilit po shkon drejt fundit dhe problemet fizike kanë ndikuar në vendimin për mosvazhdim. Në të njëjtën situatë është edhe Antonio Rüdiger, i cili dëshiron të rinovojë, por nuk ka bindur plotësisht drejtuesit e klubit. Ndërkohë, Eduardo Camavinga nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë këtë sezon, duke e vendosur në një pozitë të pasigurt.

Edhe veteranit Dani Carvajal mund t’i vijë fundi i ciklit me madrilenët, ndërsa dy mbrojtësit e majtë, Ferland Mendy dhe Fran García, janë në balotazh, me gjasa që të paktën njëri prej tyre të largohet. Në këtë mënyrë, edhe pse Reali vazhdon të dominojë në Evropë, vera pritet të sjellë vendime të forta që mund të ndryshojnë ndjeshëm fytyrën e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

sfidanti.al