Milot Rashica mund të largohet gjatë merkatos së janarit nga Beshiktashi pasi për shqiptarin është shumë e interesuar skuadra e Tabzonsporit. Sipas medieve turke trajneri e njeh mjaft mirë atë çfarë i garanton në fushë Rashica me të cilin kanë punuar bashkë kur Gynesh ishte në krye të stolit bardhezi. Trabzonspor po përgatitet për të humbur shërbimet e dy lojtarëve të krahut siç janë Edin Viska dhe Toni Nuakaeme dhe Gynesh mendon se Rashica do të ishte zgjidhja ideale për të mos humbur cilësi në sulm. Për momentin tratativat nuk kanë nisur ende edhe pse thuhet se Beshiktash nuk do të bënte rrezistencë pasi shifra që mund të arkëtonte do të ndihmonte në lehtësimin e situatës të keqe financiare. Në këto momente edhe vetë lojtari nuk është fokusuar në çështjet e aspektit sportiv pasi ka fluturuar drejt Norvegjisë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të babait. Rashica ka luajtur dhjetë ndeshje me Gynesh si trajer dhe ka shënuar 2 gola si dhe ka dhënë edhe një asist. Gynesh thuhet se ka “bekuar” këtë transferim duke konsideruar shqiptarin si “lojtari i duhur, me karakter dhe talent”.
sfidanti.al