PSG përshpejton rinovimin me trajnerin Luis Enrique

Paris Saint-Germain po punon intensivisht për rinovimin e kontratës së trajnerit Luis Enrique, e cila aktualisht është e vlefshme deri në vitin 2027. Drejtuesit e klubit parisien kanë nisur negociatat e hershme me teknikun spanjoll, me qëllimin për të siguruar vazhdimësinë e projektit sportiv që po jep rezultate të jashtëzakonshme. Të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të arritur një marrëveshje të re, ndërsa PSG e konsideron Luis Enrique si figurën qendrore të projektit afatgjatë. Brenda klubit, ai përshkruhet si trajneri më i suksesshëm në historinë e PSG-së, duke i atribuar atij edhe arritjen historike të fitimit të titullit të parë në Ligën e Kampionëve për ekipin nga kryeqyteti francez.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se PSG dëshiron të shmangë çdo pasiguri përpara nisjes së sezonit të ardhshëm, veçanërisht në një moment kur disa klube të Ligës Premier po monitorojnë nga afër situatën e trajnerit spanjoll. Për këtë arsye, rinovimi shihet si prioritet absolut. Vetë Luis Enrique ka qenë i qartë lidhur me të ardhmen e tij, duke theksuar se synon të respektojë kontratën aktuale. “Unë gjithmonë përmbush kontratat që nënshkruaj. Largohem vetëm nëse më shkarkojnë”, është shprehur trajneri, duke hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm verën e ardhshme. Diskutimet aktuale fokusohen në një kontratë të re deri në vitin 2030, me dy vite të garantuara dhe një opsion për vitin e tretë që mund të aktivizohet nga vetë trajneri.

Bashkëpunimi mes PSG-së dhe Luis Enrique ka nisur në vitin 2023 dhe deri tani ka prodhuar dhjetë trofe, duke e konsoliduar klubin si forcë dominuese në futbollin francez. Paralelisht me sukseset, Enrique vijon të integrojë talente të rinj në ekip, përfshirë mesfushorin e ri Dro, ish-produkt i akademisë së Barcelonës, i transferuar këtë dimër për të fituar përvojë dhe minuta loje.

Edhe pse ende nuk ka debutuar, pritet që ai të marrë shansin e tij në sfidën e rëndësishme kundër Marseille. “Më pëlqejnë lojtarë të tillë. Do të shohim kur do të jetë gati për të hyrë në fushë”, përfundoi Enrique.

sfidanti.al