Ademola Lookman e dha sinjalin e tij për të ndryshuar skuadër, por jo ngjyrën e fanellës. Nga Bergamo ai dëshiron kalimin në Milano me zikaltërit e Interit, por Atalanta nuk është bindur nga 42 milionë eurot (plus 3 mln bonuset) e Marottës. Si të mos mjaftonin fjalët, sulmuesi nigerian ka fshirë të gjitha fotot që ka me fanellën e Atalantës në rrjetet e tij sociale, gjë që ka revoltuar tifozët. Të diel, në qendrën stërvitore të ekipit u shfaq një pankartë kundër Lookman dhe agjentëve të tij. Në të thuhej se futbollisti nuk di se çfarë është respekti për klubin që e promovoi.
“Mjaft më! Agjentë të padenjë dhe lojtarë mosmirënjohës, respektoni tifozët dhe ata që ju kanë promovuar”, thuhet në pankartën që mediet në Itali e kanë lidhur direkt me Lookman.
Tifozët e organizuar të Atalantës nuk e kanë pritur mirë përplasjen midis sulmuesit dhe klubit, por veçanërisht mënyrën se si Lookman po këmbëngul në përpjekjen e tij për t’u shitur. Natyrisht, mbështetësit e Atalantës janë gjithashtu të vetëdijshëm për çështjen Koopmeiners, e cila vitin e kaluar çoi në një ndarje të plotë mes tij dhe Atalantës, me dëshirën për t’u shitur te Juventusi.
sfidanti.al