Shumëkush tek Junajtidi i ka nervat “buzë greminës”!

Mançester Junajtidi, madje, edhe me Zhoze Murinjon si trajner, nuk po bën dot hajër, pra që të kthehet në rrugën e fituesit dhe të vihet në garë për trofeun e Premier Ligës angleze, pasi, mbas vetëm 15 ndeshjeve të zhvilluara, “djajtë e kuq” ndodhen 13 pikë pas Çelsit kryesues. Strategu portugez po përpiqet me të gjitha mënyrat që të kthejë frymën e fitimtarit në ekip, por, deri tani, pa sukses. Prandaj, ai, ndoshta, po fut edhe metodat e ndëshkimit.

Ky strateg ka planifikuar seancë stërvitore, pikërisht, ditën e Krishtlindjeve dhe jo vetëm për futbollistet, por edhe për punonjës të tjerë të klubit. “Të gjithëve, neve, na kanë shkuar nervat në ‘buzë të greminës’. Deri më sot, diçka të tillë ne nuk e kemi parë, madje, as në kohën e ser Aleks Fergusonit. Pas stërvitjes, punonjësve do të duhet që të qëndrojnë në stadium që të rregullojnë fushën dhe gjëra të tjera, pasi, qysh të nesërmen, do të zhvillohet një ndeshje.

Murinjo, edhe zyrtarisht, i anuloi Krishtlindjet!”, tha dikush shumë i afërt me klubin e Mançesterit. Sa për krahasim, paraardhësi i Murinjos, Luis van Gal, dy vite me radhë, u jepte ditë pushimi të gjithë punonjësve që kishin lidhje me fushën. Sidoqoftë, ky veprim i trajnerit holandez nuk pati ndonjë efekt pozitiv, pasi, edhe në të dy sezonet e kaluar, ManU-ja ka luajtur dobët.

Sfidanti.al