Në një sezon kaq të ngarkuar, askush nuk dëshiron një përsëritje. Gjithsesi, kjo është formula e Kupës së Anglisë, dhe Liverpuli i madh do të jetë i detyruar të shpenzojë edhe 90 minuta të tjera (të paktën) me Shrusbërinë e vogël. Në të vërtetë, këto minuta do t’i shpenzojë skuadra U23 me trajnerin Nill Kriçlej, siç bëri ndaj Aston Vilës në Kupën e Ligës, duke u mundur 0-5. Jurgen Klopi deklaroi pas ndeshjes se ka marrë një letër nga Premier Liga, që i kërkon të respektojë disa ditë pushim dimëror, të përcaktuara në kalendar, dhe ato përkojnë me datat e mundshme të ndeshjes së Kupës, në 5 ose 6 shkurt.
Në fushën e Shrusbërit, Klopi luajti me shumë rezerva dhe djem të rinj, ashtu siç bëri ndaj Evertonit, por këtë herë nuk fitoi. Të kuqtë kryesuan 2-0 me gola të shënuar nga Kërtis Xhons dhe një autogol i Donald Lovit. Xhejzën Kamings realizoi dy herë për vendasit (65’ me penallti, dhe 75’) duke siguruar barazimin, ndërsa nuk bëri punë aktivizimi i Mohamed Salahut në fund. “U premtova djemve ditë pushimi pak javë më parë, dhe nuk mund ta kthej fjalën, – tha Klopi, – unë nuk punoj kështu. Në Kupë do të luajnë djemtë e rinj. E di se kjo nuk është shumë popullore për tifozët, por kështu e mendoj unë”.
Sfidanti.al