Roi Hoxhson, “plakushi” që po habit Anglinë me Kristël Palasin!

Kohët e tij të arta dukej se ishin të kapërcyera një herë e mirë. Trajneri më i vjetër i Premier Ligës, në moshën 73-vjeçare, duket se dëshiron t’i nxjerrë të gjithë gabim, dhe me Kristël Palasin po i sulet Europës edhe një herë tjetër. Të paktë janë profesionistët që kanë ambicie dhe energji të tillë në një moshë të shtyrë për sportin si ajo 73-vjeçare, por Hoxhsoni paska qelluar “kockë e fortë”. Habia ishte shumë e madhe kur londinezët emëruan një 70-vjeçar në 2017-ën, por duket se ata goditën në shenjë.

Kristël Palasi mundi Bornmuthin në ndeshjen e parë pas rikthimit të Premier Ligës dhe tani është vetëm 4 pikë larg Mançester Junajtidit që është në vendin e pestë. Pra Liga e Europës është e mundshme, ndonëse shumë e vështirë për një skuadër pa përvojë të madhe. Gjithsesi, Hoxhsoni po jeton një rini të dytë apo të tretë në stol. Kujton kohët e lavdishme në Suedi me Halmstadin e Malmoen, me kombëtaren e Zvicrës, apo me Interin kur fitoi Kupën UEFA, ndërsa suksesin tek Palasi e ka me çmim të lirë, pasi në janar shpenzoi vetëm 2.5 milionë paundë stërlina për t’u përforcuar.

Sfidanti.al