Para 4 vitesh punonte zbathur, tani fytyra e tij zbukuron muret!

Gabriel Zhesus, një nga yjet më të mëdhenj të futbollit brazilian që tani luan me Mançester Siti, ka një histori jete mjaft interesante, sepse, vetëm para katër vitesh, atë nuk e njihte askush, ndërkohë që ai zbathur lyente muret e rrugëve të favelave (lagje periferike të varfra) të Rio de Zhaneiros. Para katër vitesh, gjatë Mundialit të Brazilit, Zhesusi vizatonte në muret e rrugëve dhe të shtëpive të favelave flamurin brazilian me ngjyra, sikurse bënte shumëkush tjetër me rastin e festivalit më të madh futbollistik. Në Brazil, të gjithë jetojnë me futbollin, por vetë Zhesusi nuk besonte se, brenda vetëm katër vitesh, ky djalosh “bojaxhi muresh” që, zakonisht, bridhte rrugëve zbathur, do të bëhej një yll i vërtetë futbolli, fytyrën e të cilit ju do ta shihni tani nëpër muret e rrugëve të qyteteve të ndryshëm të vendit më futbollistik në botë.

Para katër vitesh, Gabrieli ishte një djalosh adoleshent, ndërsa, dimrin e kaluar, ai, në moshën 19-vjeçare, erdhi nga Palmeirashi te Mançester Siti, ku edhe shkëlqeu si një talent i jashtëzakonshëm. Ai luajti në mënyrë fantastike, këtë sezon, te Siti, duke shënuar për ekipin e Guardiolës 24 gola në 38 ndeshje në të gjithë konkurrimet. Ai tani, në përfaqësuesen e Brazilit, në Kupën e Botës së Rusisë, do të jetë një nga forcat kryesore goditëse të sulmit përkrah “violinës së parë”, Nejmarit.

Sfidanti.al