Kur Pol Pogba mbërriti tek Mançester Junajtidi për herë të dytë, propaganda mediatike ishte e jashtëzakonshme. Klubi anglez, padyshim që, duhet të ketë përfituar financiarisht nga reklama e madhe që iu bë kthimit “në shtëpi” të mesfushorit, por Zhoze Murinjo gjykoi ndryshe. Trajneri portugez, që gjithashtu arriti në “Old Traford” në 2016, në të njëjtën kohë me francezin, ndjeu se kjo fushatë publicitare e kishte bërë tepër të madhe Pogbanë, duke e paraqitur edhe si më të rëndësishëm sesa vetë klubi.
Pra, sherri që ne po ndjekim sot, e ka fillesën që dy vjet të shkuara. Të dy “fajtorët” mund të gjejnë shkaqe plot për ta urryer njëri-tjetrin, por është fakt se Pogba e ndjen veten gjithnjë e më larg Mançester Junajtidit. Fakti që ai kritikoi hapur trajnerin, që dëgjoi muzikë me zë të lartë në autobusin e skuadrës, dhe që postoi foto të tij duke qeshur në “Old Traford” një ditë pas eleminimit të ekipit nga Kupa e Ligës, janë shenja të pagabueshme. Xhemi Karrager, një ish-kapiten i Liverpulit, pati fjalë shumë kritike për futbollistin: “Edhe nëse Murinjo largohet nga Junajtidi, kurrë nuk do të shohim një Pogba siç e mendojmë, pasi ai nuk është aq i mirë sa pretendon”.
Sfidanti.al