Kur Romelu Lukaku erdhi tek Çelsi, Zhoze Murinjo nuk ishte i bindur se ai ishte gati. Portugezi pati të drejtë dhe sulmuesi i ri belg u transferua tek Evertoni. Pas 3 vitesh larg një klubi me emër tepër të madh, djali i ri u bë burrë dhe Lukaku jo vetëm e ndjeu veten gati për t’u kthyer sërish në atë nivel, por edhe e ndjeu të domosdoshme diçka të tilla. Antonio Konte u përpoq ta kthente tek Çelsi, por njohja e vjetër, Murinjo, ia doli më shpejt. Trajneri i Mançester Junajtidit përdori shpejtësinë në veprim, por edhe logjikën si dhe njohjen më të vjetër me Lukakun.
Sulmuesi e shënoi golin e parë me fanelën e tij të re në fitoren 2-1 të “djajte të kuq” në SHBA ndaj Real Solt Lejk, dhe Murinjo nuk vonoi të shprehej. “Unë pëlqej gjithçka tek Lukaku, ai tani është vërtet një sulmues i nivelit botëror”. Edhe Romelu 24-vjeçar duhet të ndjejë të njëjtën gjë për Zhozen. Ishte portugezi që ndryshoi talentin e madh, por ende “lëndë e parë”, në një “konstruksion të vërtetë”, në një profesionist, dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ai pranoi transferimin prej 86 milionë eurosh në “Old Traford”.
Sfidanti.al