Mançester Junajtid po mendon të bëjë me Zhoze Murinjon, atë që nuk ka munduur të bëjë asnjë klub tjetër; është gati t’i ofrojë rinovimin e kontratës edhe për 5 vjet të tjerë. Kjo është ajo që lexohet tek tabloidi britanik ‘The Sun’ sipas të cilit, Djajtë e Kuq kanë vendosur që kontratën e re të portugezit ta shoqërojne edhe me një pagë totale prej 72 milionë Eurosh që do të thotë se Murinjo do të përfitojë 14.5 milionë Euro në sezon.
Por luzitani nuk është i vetmi që është bërë prioritet në radhët e Mançester Junajtid. Edhe Huan Mata është gati të zgjasë qëndrimin e tij në ‘Old Trafford’ edhe për një vit tjetër duke i injoruar krejt ofertat e ardhura nga Super Liga kineze, një fat ky të cilin do ta ketë edhe spanjolli tjetër i Mançester Junajtid, Ander Herrera. Nga Mançesteri shkojmë në Londër , pikërisht te Arsenali ku në qendër të vëmendjes është Mesut Ozil.
Trajneri Venger deklaroi se si gjermani ashtu edhe Sançez mund të largohen në janar, por nuk është i këtij mendimi ‘Daily Mirror’ sipas të cilit Topçinjtë e Londrës kanë nisur bisedimet me Ozil për rinovimin e kontratës e cila skadon në fund të këtij sezoni. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, gjithcka po shkon mirë në këtë pikë, ndërkohë që ajo citon edhe një deklaratë të vetë agjentit të Ozil, i cili ka bërë të ditur dëshirën e futbollistit për të qëndruar në kryeqytetin anglez edhe për 2-3 vjet të tjerë.
Sfidanti.al