Murinjo ka plotësisht të drejtë të besojë tek zona Champions!

Ai fitoi, ndërsa ish-ekipet e tij jo. Totenhemi i dha një kënaqësi të madhe trajnerit të vet portugez, duke triumfuar në minutën e fundit, e duke iu afruar shumë zonës Champions. Zhoze Murinjo po provon sërish ato ndjenja që i kishte harruar prej kohësh, emocionet që të japin fitore të tilla dramatike në futboll, dhe i duket vetja i ringjallur.

Spërsat triumfuan 2-1 në një fushë tepër të vështirë, pikërisht në stadiumin e Uolvesit, me golin e shënuar në fund nga mbrojtësi i qendrës, Jan Vertongen. Lukas Moura kaloi fillimisht londinezët në epërsi, por Adama Traore barazoi në 67’, duke i dhënë shpresë Uolvesit. Nuk ishte aspak e lehtë, pasi vendasit luajtën më mirë sesa ekipi i Murinjos, i cili ia doli që të mbrohej mirë dhe të godiste kur t’i jepej rasti.

Portugezi u ndihmua edhe nga fakti se Mançester Junajtidi nuk fitoi dot, edhe pse luajti në “Old Traford”. Vetëm mundi të barazonte ndaj Evertonit, që gjithashtu është ringjalluar i drejtuar nga trajneri Dankën Ferguson, ish-kapiteni që dukej “Dankëni i Madh”. Një autogol i Lindelofit i dha avantazhin miqve, ndërsa i riu Mejzën Grinvud barazoi. Komentet e shtypit anglez ishin se “Junajtidi duket herë sikur do dalë në vend të 4-ët, herë sikur do të dalë i 14-ti”. Një ditë më parë, Çelsi i Frenk Lampardit u mund në fushën e tij nga Bornmuthi.

Totenhemi ka 26 pikë ndaj 29 të Çelsit që mban vendin e katërt, ndërsa Mançester Junajtid ka mbetur më prapa, ne kuotën e 25 pikëve.

Sfidanti.al