Murinjo e Guardiola, duel për “Mister 60-milionëshin” e stolit!

Quhet Fred është 25 vjeç dhe “taksa” e tij është 60 milionë euro. Kaq pagoi Mançester Junajtid për ta marrë në verë, ndërsa për Zhoze Murinjon u tha se fitoi një betejë të madhe me rivalin e tij kryesor, Pep Guardiolën.

Jemi në nëntor, dhe Fred duket më shumë si një lojtar stoli sesa një bast i fituar i Murinjos, me mediat britanike që kanë nisur të pyesin nëse ia vlenin 60 milionë euro për të fituar një betejë me Guardiolën për një zëvendësues?

Murinjo nuk pranoi të mbështetej tek ish-lojtari i Shahtarit të Donjeckut në ndeshjen kryesore të sezonit deri tani, si ndaj Mançester Sitit, Çelsit apo dy herë ndaj Juventusit. Natyrisht, ai nuk është se nuk ka luajtur fare, është aktivizuar 7 herë në Premier Ligë (6 herë si titullar), ka pasur 87 për qind saktësi në pasime, ka krijuar 7 raste për gol, veçse ka gjuajtur vetëm 2 herë në kuadrat.

Për momentin, duket se Guardiola pati të drejtë që nuk pranoi të shpenzonte kaq shumë. Siti ka brazilianin tjetër, Fernandinjo, që në moshën 33-vjeçare duket sërish një “komandant” i përkryer për mesfushën, ndryshe nga Fredi që, sipas mediave britanike, duket si një “produkt gjysmë i gatshëm”.

Sfidanti.al