Punën e përkohëshme në Rusi tashmë e mbylli. Zhoze Murinjo i bëri parashikimet e tij për Botërorin, ndërsa tani iu kthye profesionit të tij parësor, atij të trajnerit, duke u bërë menjëherë lajm. Trajneri i Mançester Junajtidit kërkon dy nga kroatët nënkampionë të botës, dhe pikërisht Ivan Perishiçin dhe Ante Rebiçin.
Dy lojtarët e mesfushës ishin ndër heronjtë kryesorë që ndihmuan kombëtaren e tyre të arrinte deri në finale të Botërorit, duke mundur radhazi Nigerinë, Argjentinën, Islandën, duke eleminuar Danimakën, mundur Anglinë e humbur vetëm në finale ndaj Francës. Murinjo është gati të paguajë 104 milionë euro, gjithsej, për të dy, që në Angli bëjnë 92 milionë paund stërlina.
Perishiç, yll i Interit, ka qenë në vëmendjen e portugezit edhe sezonin e kaluar, por nuk u arrit të merrej. Për të jepen 54 milionë euro. Rebiç, tepër i fortë e këmbëngulës ishte zbulim në Botëror, por ka qenë gjithashtu në nivel të lartë në Gjermani, në radhët e Ajntrahtit të Frankfurtit, të drejtuar nga trajneri i tanishëm i Bajernit, kroati Niko Kovaç. Për lojtarin e Bundesligës janë gati 50 milionë euro.
Murinjo ka nisur punën për sezonin e ri, ku synon të sfidojë Mançester Sitin për titullin kampion në Angli, e për të pretenduar Championsin. Ai ka marrë edhe brazilianin Fred, si dhe synon mbrojtësin e Anglisë, Harri Megajer.
Sfidanti.al