Mungesat dhe VAR-i i bëjnë “gropën” Liverpulit në fushën e Brajtonit!

Ky mund të quhet vërtet një “dush i ftohtë”. Kjo shprehje e stërpërdorur gjithsesi i shkon më së miri asaj që provoi Liverpuli në Premier Ligën angleze, kur e humbi fitoren në minutat shtesë. Kryesonte minimalisht 1-0 në stadiumin e Brajtonit, dhe u duk se e përballoi numri e madh të mungesave, kur u godit nga ajo që ka qenë armikja më e madhe e tij këtë sezon, teknologjia. Një penallti u dha në favor të vendasve, pasi gjyqtari e studio gjatë filmimin në VAR, ndërsa protestat e të kuqve ishin të ashpra.

Këtë sezon, teknologjia nuk ka qenë aspak një aleat i kampionëve, ndërsa analizat në mediat angleze ishin që ndërhyrja e Robertsonit ndaj Uolkerit ishte tepër e lehtë për t’u ndëshkuar me 11-metërsh. Gjithsesi, vendimi u dha dhe Brajtoni barazoi duke i hequr mundësi Liverpulit të shkëputej në krye të renditjes, me 23 pikë, 3 më shumë se Totenhemi i Murinjos. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop pati edhe vendime të tjera të VAR-it kundër.

Brajtonit iu dha edhe një penallti në pjesën e parë, ndonëse nuk arriti që të përfitonte. Për më tepër, të kuqve iu anuluan dy gola, fillimisht i diskutueshëm ai i shënuar nga Mohamed Salah, dhe në minutat e fundit rrjeta e Sadio Manesë, i cili ishte dukshëm në pozicion jashtë loje. Liverpuli pati shumë mungesa si Van Dajk, Gomez, Matip, Aleksandër-Arnold apo Tiago Alkantara, ndërsa kapiteni Henderson dhe Sadio Mane u aktivizuan vetëm në pjesën e dytë.

Lojtari i momentit, Diogo Zhota, kaloi kampionët në epërsi në minutën e 60-të dhe ndeshja thuajse u arrit që të fitohej, por nuk qe e thënë. Përtej zemërimit për VAR-in dhe ankesave për kalendarin, Jurgen Klopi duhet të mendojë se do të jetë shumë e vështirë të mbrohet titulli me kaq shumë mungesa.

Sfidanti.al