Mançester Siti fiton dhe Guardiola e gdhin vetëm 3 pikë larg Liverpulit kryesues!

Për momentin ka një ndeshje më shumë, por presionin e kaloi tek rivali. Mançester Siti u afrua në vetëm tri pikë diferencë me Liverpulin kryesues të Premier Ligës, sepse triumfoi 3-0 në fushën e  vet ndaj Aston Vilës. Një rezultat i thellë, tipik i stilit të Pep Guardiolës, dhe i skuadrës së tij kombinative dhe agresive, që dëshiron të mbajë topin gjithë kohën në zotërim, dhe të godasë papushim portën kundërshtare.

Gjithsesi, përpara sesa të realizohej objektivi, u desh të pritej pak si shumë. Pjesa e parë në stadiumin “Etihad” nuk ishte ajo që prisnin mbi 50 000 tifozët, edhe pse vendasit e patën dominimin. Aston Vila, e rikthyer këtë vit në elitë, bëri gjithçka dhe arriti të ndalonte dëmet, por kjo vetëm për 45 minuta.

Me të nisur pjesa e dytë, kampionët ishin krejt ndryshe, duke marrë kontrollin në lojë dhe rezultat. Rahim Stërling, Kevin De Brujn dhe Ilkai Gyndogan ishin autorët e golave, por gjithçka pati vulën kolektive, siç ndodh gjithnjë me skuadrat e Guardiolës. Problemi i vetëm i madh i vendasve ishte kartoni i kuq i Fernandinjos, pasi kjo thellon krizën në qendër të mbrojtjes, të paktën për ndeshjen e radhës.

Siti është skuadra me më shumë rrjeta në Angli, plot 11 më shumë se Liverpuli, edhe pse kryesuesit do të kenë rast të shënojnë e të shkëputen sërish me ndeshjen e madhe të kësaj së diele ndaj Totenhemit në “Anfild”.

Sfidanti.al