Mançesteri dhe Liverpuli mbeten qytetet me trofetë më të shumtë të një klubi, por Londra është padyshim metropoli i futbollit në Angli. Totenhemi dhe Arsenali e treguan sërish këtë, pas dyshimeve në fund të vitit, duke arritur fitore të thella e duke qenë brenda objektivave. Spërsat synojnë titullin (kualifikimi për në Champions duket diçka e nënkuptuar për ta), dhe suksesi 3-0 në fushën e Kardifit i ngjiti përkohësisht në vend të dytë në Premier Ligë, 6 pikë prapa Liverpulit dhe mbi Sitin, por me një ndeshje më shumë të luajtur.
Harri Kejn shënoi një nga golat, ndërsa Kristian Eriksen dhe koreanojugori Son plotësuan fitoren e thellë. “Ne nuk kemi hequr dorë nga synimet tona, – thanë Kejn dhe trajneri Poçetino pas ndeshjes, – ne duam të fitojmë trofe, sidomos titullin”.
Granit Xhaka, ndërkaq, ishte njëri nga më të mirët për Arsenalin që fitoi 4-1 në fushën e vet ndaj Fulhamit, në një derbi të vogël të Londrës. Aleksandre Lakazetë, Aron Ramsej dhe Pjer-Emerik Obamejang ishin autorët e golave të tjerë, ndërsa “topçinjtë” iu afruan Çelsit të vendit të katërt, me 41 pikë ndaj 43. Mançester Junajtidi është i gjashti me 35 pikë, por me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al