Lobimet e tifozëve rikthyen “tarracat” në stadiumet e Premier Ligës!

Sot as nuk mund të imagjinohet ajo që ndodhi atëherë. Atyre që shkojnë në stadiumet angleze të futbollit dhe dëgjon këngët e tifozëve, as nuk mund t’i shkojë në mendje se një pasdite prilli 32 vjet më parë ndodhi tragjedia më e madhe e topkëmbës në ishull. Plot 97 tifozë humbën jetën, nga të cilët 94 në vend, dhe mbi 750 u plagosën, kur njerëzit u shtypën me njëri-tjetrin në stadiumin “Hillsborou”  të Shefildit, në gjysmëfinalen e Kupës mes Liverpulit e Notingem Forestit. Që nga ajo kohë, u vendos që në stadiumet angleze të ndaloheshin ato që quheshin “tarracat pas portave”, ku tifozët qëndronin në këmbë dhe shiteshin bileta pa numër, veçse ai vendim po i afrohet skadimit.

Në 1 janar 2022 hiqet ndalimi që njerëzit të qendrojnë në këmbë në stadiumet e Premier Ligës dhe kategorisë së dytë angleze, një moment që ka krijuar polemika dhe emocione të forta. Vendimi për ndalimin e tarracave u mor nga shefi i drejtësisë britanike, Lordi Piter Tejlër në 1994, dhe të gjithë stadiumet në Angli ishin të detyruar që të kishin vetëm vende të ulura. Gjithsesi, tifozët kurrë nuk e deshën vendimin, dhe madje BBC komentonte gjysmë me shaka në 1996, kur vdiq Lordi Tejlër, se ultrasit anglezë të klubeve bënë gosti nëpër pijetore për të festuar.

Sipas traditës, lobimi ka qenë i fortë për dekada, duke fituar edhe mbështetjen e politikës. Gjithsesi, klubet duhet të respektojnë standarde të rrepta. Mediat lajmërojnë se pesë klube janë zgjedhur për të provuar ato që quhen “tribuna të sigurta me qendrim në këmbë”, Mançester Junajtidi, Çelsi, Mançester Siti, Totenhemi dhe Kardifi. Më në fund, tifozët e zjarrtë anglezë do t’i kthehen një tradite mbi 130-vjeçare që ua ndaloi Hillsborou.

Sfidanti.al