Ligji i Klopit, Liverpul blen talente, dhe nuk pranon ikjen e Kutinjos

Jurgen Klop nuk dëshiron të presë shumë gjatë për të fituar trofe. Liverpuli i tij vështirë se mund të jetë ndër pretendentët e mëdhenj të Premier Ligës apo Championsit, kur në radhë janë Mançester Siti e Junajtid, Çelsi, Reali, Bajerni apo Barcelona, por trajneri gjerman nuk ka ndërmend të dorëzohet pa nisur gara. Ai e tregoi forcën e karakterit të tij gjatë kësaj vere, duke sjellë talent në “Anfild” dhe duke mos lejuar “firo”. Dominik Solanke u mor nga Çelsi dhe për yllin e Anglisë U20 mund të paguhen vetëm 3 milionë paund stërlina, një lëvizje e shkëlqyer. “Unë nuk e njihja fare, – tha Klopi, – por iu binda njerëzve të mi, dhe shoh se ka shumë talent”. Skocezi Endrju Robertson erdhi për 10 milionë paund stërlina dhe Klop thotë se 23-vjeçari mund të jetë titullar. Gjermani pret që Sauthemptoni të pranojë që Van Dajk të kalojë tek Liverpuli për të plotësuar “mozaikun”, ndërsa Barcelonës i është thënë shkurt se Filip Kutinjo nuk është për shitje, edhe pse katalanasit duket se bënë një ofertë prej 80 milionë eurosh. “Liverpuli nuk është klub që shet lojtarët më të mirë”, – ishte përgjigja e Klopit.

Sfidanti.al