Junajtidi shpërblen “Specialin”, 65 milionë sterlina për Murinjon

Mançester Junajtidi do t’i ofrojë një kontratë të re pesëvjeçare Zhoze Murinjo me vlerë prej 65 milionë sterlinash. Paga momentale e trajnerit portugez, sipas kontratës aktuale trevjeçare, është 10 milionë sterlina për sezon, por, sidoqoftë, kryesia e klubit synon që ta shpërblejë me një pagë vjetore shumë më të madhe Murinjon për punën e tij të suksesshme të deritanishme. Kjo do të thotë se paga e “Specialit” do të barazohet me atë të Pep Guardiolës të Mançester Sitit që është 13 milionë sterlina për sezon ose 250 000 sterlina në javë. Kështu, ata të dy do të jenë trajnëerët më të paguar në botë.

Në fakt, Murinjo ka bërë atë që nuk e bënë dot Dejvis Mojesi dhe Lui Van Gali mbas pensionimit të ser Aleks Fergusonit, duke e kthyer Junajtidin midis klubeve më të mirë në Angli dhe Evropë. Sezonin e kaluar, “djajtë e kuq” nuk ishin të suksesshëm në Premier Ligë, por, sidoqoftë, nën drejtimin e Murinjos Junajtidi fitoi tre trofe, Ligën e Evropës, kupën Kapital dhe atë Community Shield. Këtë sezon, tabloja është krejt ndryshe, autoriteti i Murinjos e ka bërë të veten. Gjatë sezonit veror të transferimeve, Murinjo krijoi një ekip ashtu si donte vetë, duke i kaluar kolegët e vet në këtë drejtim. Ai i ka kthyer shkëlqimin “Teatrit të ëndrrave” (Old Trafordit), duke i mbushur tifozët plot besim se ekipi i tyre i zemrës po kthehet në rrugët e vjetra të lavdishme.

Sfidanti.al