Guardiola duket se është prekur shumë nga kritikat për Sitin!

Edhe mund të ketë të drejtë, por edhe mund ta ketë tepruar. Pep Guardiola mezi priti që Mançester Siti i tij të jepte një provë force në nivel të jashtëzakonshëm që të shpërthente duke nxjerrë gjithë dufin që mbante në mendje. “Nëse ju dyshoni tek ne, ky është problem për ju, jo për mua, apo për ne, – u tha ai me agresivitet gazetarëve pas ndeshjes së fituar 8-0 ndaj Uatfordit në Premier Ligë, – mos guxoni të dyshoni tek ne”. Pep u duk për një moment si “Mbreti Diell”, Luigji IV, që besonte se ishte bir i Perëndisë dhe të tjerët as nuk duhej të dyshon tek ai.

Kjo, në vazhdën e deklaratave të tij të çuditshme pas humbjes në fushën e Noruiçit, po në Premier Ligë. “Urime Liverpul për titullin, – tha Guardiola para 6 ditëve, – por, jemi në shtator”. Jurgen Klop u përgjigj në mënyrën e tij, kur u ngacmua për këtë, duke thënë se “ne mund të jemi kampionë të Europës, por nuk jemi më të mirët e Championsit, sepse Siti është skuadra më e mirë në botë”. Gjithsesi, duket se Pep është prekur nga kritikat ndaj tij, duke thënë se “analistët, opinionistët, të gjithë ish-lojtarë, kanë humbur ndeshje në të kaluarën, kanë bërë edhe gabime, por sot ata flasin pa respekt për lojtarët që japin maksimumin”.

Bernardo Silva shënoi 3 herë, po ashtu realizuan David Silva, Kun Aguero, Rijad Mahrez, Nikolas Otamendi dhe Kevin De Brujni. Siti ka shënuar 24 gola në 6 ndeshje në Premier, me mesatare 4 për takim, diçka e rrallë.

Sfidanti.al