E dini kush është i treti në Premier? Arsenali i Mustafit!

Në fillim të sezonit, ishte Çelsi që u diskutua si pretendent për titull, bashkë me Mançester Sitin dhe Liverpulin. Më pas, këtë rol e mori Totenhemi, ndërsa pas shkarkimit të Zhoze Murinjos, lavdet më të mëdha nisën të bëheshin për Mançester Junajtidin e Solskjerit. Më së shumti, u harrua dhe u nënvleftësua ai ekip që prej shumë vitesh cilësohej thjesht si “biznes” dhe jo si formacion fitues sportiv. Pra, Arsenali!

Gjithsesi, sot, në 2 prill 2019, “topçinjtë” e trajnerit Unai Emeri janë në vendin e tretë në renditjen e Premier Ligës, e vërtetë jo si pretendentë për titull, por si kandidatë kryesorë për në Champions sezonin e ardhshëm. Një objektiv i madh, i humbur vjet nga Arsen Vengeri, ndërsa dyshimet ishin të shumta për aftësinë e spanjollit për të kthyer Arsenalin “në shina”.

Fitorja 2-0 ndaj Njukasëllit në “Emirejts” bëri që londinezët të kenë tani 63 pikë ndaj 61 të Totenhemit e Mançester Junajtidit, dhe 60 të Çelsit. Katër skuadra për dy vende që të kualifikojnë, një betejë vërtet e ashpër. Ndër lojtarët me origjinë shqiptare, në fushë ishte vetëm qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi, pasi Granit Xhaka ishte i dëmtuar. Aron Ramsej dhe Lakazetë ishin autorët e golave, ndërsa Arsenali ka golaverazh më të mirë se ndjekësit.

Sfidanti.al