Ndodh që edhe vëllezërit të grinden me njëri-tjetrin. Ky është versioni që jep Diego Kosta për përplasjen e ashpër që pati me Pedro Rodrigezin në përballjen Totenhem-Çelsi në “Uajt Hart Lejn”. Sulmuesi braziliano-spanjoll i bluve e qortoi shokun e tij të skuadrës, për faktin se nuk e kuptoi gjatë një aksioni sulmues të miqve në portën e vendasve, në pjesën e parë. Grindja e tyre plot nerva, që u përsërit dy herë, nuk mbeti pa rënë në sy të mediave televizive, atyre në internet, apo të shtypit të shkruar, por Diego Kosta nuk i jep shumë rëndësi.
“Nuk ndodhi asgjë, – tha ai për mediat britanike, – ne merremi vesh për bukuri me njëri-tjetrin. Këto janë situata që ngjajnë vetëm mes shokësh të ekipit që kanë mirëkuptim të madh mes tyre dhe afrimitet miqësor”. Ish-lojtari i Atletikos spjegoi se i kërkoi llogari ish-futbollistit të Barcelonës se përse nuk kishte vrapuar në kohën që ai i dha topin, ndërsa Pedro iu përgjigj se “vrapova”, ndërsa përgjigja e Diego Kostës ishte “jo, nuk vrapove”. “Kjo ishte e gjitha, – përfundoi ai, – Pedro është vëlla për mua”.