Çmenduri në Londër, bileta e Çarlton më e shtrenjtë se e Barcelonës

Për të parë në fushë futbollistët e panjohur të Çarlton, kushton më shumë se të jesh duke parë nga afër Lionel Mesin, apo Arjen Roben te Bajerni. Lajmi i pabesueshëm është bërë publik nga një investigim i BBC, për çmimet e biletave në disa kampionate europiane. Përfundimi është se abonimi sezonal më ekonomik për të ndjekur skuadrën londineze të Çarlton, që luan në Lige One (Kategoria e Tretë angleze), kushton 175 stërlina, 55 më shumë se të abonohesh për të parë të gjitha ndeshjet e Bajernit, në stadiumin e mrekullueshëm “Allianz Arena”.

Edhe më pak kushtojnë ndeshjet e Barcelonës në “Camp Nou” (113 paund), pra 62 paund më pak se në “The Valley”. Ndërkohë, në stadiumet e tjera të Londrës, për të ndjekur Arsenalin në “Emirates” do të nevojiten 1014 stërlina, për Totenhemin 765, për Çelsin 750, për Kristal Palas 420 dhe plot 400 për QPR.