Pati polemika në “Sent Xhejmsis Park”, por përfundimi ishte fitore e Çelsit. Blutë e Londrës ia dolën 2-1, me anë të një penalltie të dyshimtë dhe të një autogoli, ndërsa pati protesta të miqve për golin e barazimit të përkohëshëm të Njukasëllit. Suksesi bëri që londinezët të ngjiten në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Liverpuli në krye të Premier Ligës, ndonëse me golaverazh më të dobët.
Gjithçka u zgjidh në 13 minutat e fundit të takimit (pa llogaritur shtesat). Në minutën e 75-të, Markos Alonso u rrëzua në zonë, pas një dyluftimi me mbrojtësin Shar, i cili u duk se kishte prekur topin më përpara. Mediat britanike shkruajnë se penalltia ishte “50 me 50”, dhe lojtarët e trajnerit Benitez protestuan. Më kot, pasi 11-metërshi mbeti në fuqi dhe Hazar e realizoi me një gjuajtje të menduar mirë, në 77’.
Pa kaluar pesë minuta erdhi përgjigja e vendasve. Jedlin depërtoi në krah, me Zhirunë që protestoi se u godit me bërryl prej tij. U duk se loja ndaloi, por Jedlin vazhdoi vrapimin dhe pasoi për Hoselunë që barazoi rezultatin në 82’.
Në minutën e 87-të, erdhi edhe goli i fitores për ekipin e trajnerit Sarri, kur Uillian dërgoi topin pranë shtyllës së portës vendase, Zhiru e preku për ta dërguar tek Barkli, ndërsa Jedlin e dërgoi pa dashur në portën e tij. Njukasëlli ushtroi presion në minutat e mbetura, por nuk e arriti dot barazimin që e meritonte plotësisht.
Sfidanti.al