Bota qesh me Murinjon: Duhet ta uronte Bristolin për fitoren, por…

Zhoze Murinjo tregoi edhe një herë tjetër se ai i pranon me vështirësi të madhe humbjet, kështu që, në ndeshjen e fundit të Kupës së Ligës me Bristolin që e fitoi atë 2-1 ndaj Mançester Junajtidit në minutat e fundit të saj dhe që u kualifikua për në gjysmëfinale të kësaj Kupe, në vend që ta përshëndeste e ta uronte ekipin kundërshtar (Bristoli), ai (Murinjo) tha se Bristoli pati fat që fitoi dhe që u kualifikua! Bristoli i divizionit të dytë, në fakt, shkaktoi një befasi të madhe, kur mundi 2-1 me një gol të shënuar në min. e 93-të Mançester Junajtidin, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Ligës.

“Ata luftuan me të gjitha forcat, por patën edhe fat. Ata shënuan gol, kur të gjithë prisnin që gol të shënonim ne, por dua të them se ata patën fat”, vuri në dukje, midis të tjerave, “Speciali” i pandreqshëm. Deklarata e Murinjos u bë menjëherë hit në rrjetet sociale, duke  e bërë shumëkënd që të qeshte me vete, ndërsa kishte edhe nga ata që kishin numëruar sesa herë Murinjo e kishte përmendur fjalën “fat” në deklaratën e tij të shkurtër, plot pesë herë!

Sfidanti.al