Për ndeshjen e shumëpritur të së dielës ndaj Barcelonës, trajneri Carlo Ancelotti ka përfshirë në grumbullim të gjithë lojtarët në dispozicion, por në listë është shtuar edhe një “përforcim” i veçantë: kapiteni Dani Carvajal. Edhe pse i dëmtuar që prej muajit tetor dhe ende në proces rikuperimi, Carvajal ka vendosur të jetë pranë ekipit në këtë sfidë kaq të rëndësishme, duke ofruar mbështetje morale dhe frymëzim për shokët e skuadrës. Futbollisti i akademisë së Real Madridit është bërë pjesë e ekspeditës që udhëtoi drejt Barcelonës, ku krahas lojtarëve dhe stafit teknik, janë të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të klubit, si José Ángel Sánchez dhe Emilio Butragueño, si dhe legjenda të klubit si Santiago Solari, Roberto Carlos dhe Pirri, ky i fundit President Nderi i klubit.
Në të kundërt, presidenti Florentino Pérez duket se nuk do të jetë në tribunën e stadiumit Montjuïc. Nëse nuk udhëton të dielën në mëngjes drejt Katalunjës, prania e tij në tribunën e nderit është praktikisht e përjashtuar – për dallim nga presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, që pritet të jetë i pranishëm.
Kjo mungesë e Perezit konfirmon se marrëdhëniet institucionale mes Real Madridit dhe Barcelonës janë ende të tensionuara, në veçanti për shkak të hetimeve në kuadër të “Çështjes Negreira”, që vazhdojnë të krijojnë përplasje dhe mosmarrëveshje të mëdha mes dy klubeve historike të futbollit spanjoll.
sfidanti.al