Panamaja në Botëror, por me koston të lartë… jashtë SHBA-ja!

Panamaja u kualifikua, për herë të parë në historinë e saj, në Kupën e Botës Rusi 2018, pasi mundi 2-1 Kosta Rikën në ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues të Amerikës së Veriut dhe të Karaibeve, ndërkohë që SHBA-ja u eliminua, ndërsa Hondurasi siguroi një vend në play off, ku ai do të luajë me Australinë.

Hondurasi mundi 3-2 Meksikën që të luajë me “kengurët”, këtë nëntor, ndërkohë që SHBA-ja humbi 2-1 nga Trinidad e Tobagoja, duke mbetur kështu jashtë Botërorit, për herë të parë, që nga viti 1986. Amerikanët, para ndeshjes në stadiumin “Ato Boldon”, duhet që të fitonin ndaj Trinidad e Tobagos që zinte vendin e fundit në grup, por, për habi të të gjithëve, ata pësuan dy gola që në pjesën e parë, ndërkohë që goli që shënoi Kristian Pulishiçi, nuk ishte i mjaftueshëm për kualifikim. Pjesëmarrje të drejtpërdrejtë për në Botërorin e Rusisë nga grupi i lartpërmendur kanë siguruar Meksika, Kosta Rika dhe Panamaja.

Sfidanti.al