Pagat më të larta në Serie A

Është publikuar renditja e pagave të klubeve italiane të Serie A. Interi kryeson me 141 milionë euro, Juventusi ndjek me 123 milionë, Napoli është i treti me 110 milionë, Roma e katërta dhe Milani i pesti. Ndërkohë, surprizë e këndshme është Como, që ndodhet në vendin e 9-të të kësaj renditjeje speciale.

Lojtarët më të paguar

Lojtari më i paguar në Serie A është, si pritej, Dusan Vlahoviç me 12 milionë euro neto në sezon (22 milionë bruto). Pas tij renditet Lautaro Martinez me 9 milionë neto (gati 17 milionë bruto), ndërsa në vendin e tretë dhe të katërt janë Barella dhe Calhanoglu me nga 6,5 milionë neto (12 milionë bruto). Nga dhjetë lojtarët më të paguar, pesë janë të Interit, dy të Juventusit, dy të Napolit dhe një i Romës.

Duke analizuar pagat te klubet kryesore, bie në sy një detaj interesant te Juventusi: Lloyd Kelly përfiton 2,4 milionë euro në sezon, më shumë se Khephren Thuram (2 milionë), edhe pse ky i fundit shihet si element kyç i ekipit bardhezi.

Por shifra më e habitshme lidhet me Arkadiusz Milik, i cili merr 1,75 milionë euro në sezon – më shumë se talenti turk Yildiz që paguhet 1,5 milionë dhe konsiderohet si ylli i skuadrës. Jo rastësisht për Yildiz pritet së shpejti rinovimi i kontratës me një rritje të merituar të pagës.

Në fakt, Milik merr thuajse 2 milionë euro në sezon dhe nuk luan (madje nuk stërvitet) prej dy vitesh. Një tjetër shembull i qartë i gabimeve të trashëguara nga drejtuesit e vjetër të klubit.

sfidanti.al