Talentin e ka të pamohueshëm dhe askush nuk dyshon për të. Rej Manaj, qoftë me klubet apo edhe me kombëtaren ka treguar se nga çfarë brumi është gatuar, por gjithsesi iu deshën vite për të stabilizuar një karrierë që premtonte shumë, dhe që u rrezikua. Në moshën 24-vjeçare, sulmuesi kuqezi ishte sërish protagonist në Serinë A italiane, duke shënuar gol e duke fituar penallti për Specian. Futbollisti me origjinë nga Lushnja, ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë për të dyja ekipet, ndërsa sfida në fushën e Salernitanët përfundoi 2-2.
Pas këtij 90-minutëshi mediat italiane dhe ato europiane ishin me lavdërime, dhe shqiptari mori nota nga 6.5 në 7, duke veçuar sidomos një gjysmë ore të parë të një niveli shumë të lartë. Edhe pse Manaj sot luan me një skuadër modeste siç është Specia, edhe pse ka shënuar vetëm dy gola deri tani në kampionat ai shprehet i lumtur sepse karriera e tij është sërish në shina, dhe ai është vazhdimisht titullar. Kjo nuk është aspak diçka e vogël, në një nga ligat më të forta të Europës e të botës, siç është Seria A, që mund të llogaritet kampionati i tretë elitar në rruzull pas Premier Ligës angleze dhe La Ligës spanjolle.
Sfidanti.al