Manuel Neuer ka folur për herë të parë hapur për momentin kur mund të vendosë t’i japë fund karrierës së tij legjendare. Portieri dhe kapiteni 40-vjeçar i Bayern Munich pranoi se fundi i rrugëtimit të tij në futboll po afrohet. Veterani iu bashkua skuadrës në grumbullimin përgatitor në Tegernsee, duke nisur sezonin e tij të 21-të në Bundesliga, 16 prej të cilëve i ka kaluar me Bayern Munich, ndërsa pesë të parët me Schalke. Në një intervistë për Bild, Neuer u pyet nëse do të presë deri në fund të sezonit për të vendosur mes rinovimit të kontratës apo pensionimit në verën e vitit 2027.
“Nuk hyj në një ndeshje duke menduar se mund të jetë e fundit, qoftë edhe vizita ime e fundit në një stadium. Por këtë herë duket shumë e mundshme që t’i jap fund karrierës dhe të tërhiqem”, deklaroi portieri gjerman. Neuer rinovoi kontratën me Bayern Munich edhe për një sezon në muajin maj, ndonëse pranoi se kishte menduar seriozisht të largohej.
“Ndoshta isha 85 për qind i prirur të tërhiqesha, por fakti që jam pjesë e këtij ekipi, me këtë staf teknik dhe këtë trajner, më jep shumë kënaqësi. Mundësia për të luftuar për çdo trofe ishte ajo që më bindi të vazhdoj.” Ai shtoi se motivimi i tij mbetet i njëjtë: “Luaj sepse ende kam pasion dhe besoj se mund ta ndihmoj ekipin. Gjithashtu kam mbështetjen e madhe të familjes dhe miqve të mi.”

